Ermira Babaliu: Kam ndjekur një njeri të veçantë…

- Ermira, a ka zë emocioni?

- Emocioni i duartrokitjeve të para është i paharrueshëm, sidomos kur nuk je e përgatitur se nuk i ke ëndërruar ato… Kështu nisi rruga ime artistike, si një pasion i pafajshëm fëmijëror. Ishte një konkurim midis klasave në shkollën e mesme. Këndoja pa asnjë synim, thjesht, ishte një lojë e bukur për mua, por fitova çmimin e parë! Ndjeva një emocion që edhe sot ma shtrëngon zemrën… Ndoshta ishte më i bukuri në jetën time artistike sepse ishte i papritur, si rrufeja në qiellin e qetë. Unë nuk e kam patur ëndërr këngën. Rastësia ka bërë që të afirmohem, duke filluar nga aktivitet e shkollës, tek Estrada e Pogradecit, turnetë nëpër Shqipëri… A ka zë emocioni?! Eshtë zë i heshtur që e ka vetë këngëtari në brendësi, dridhje që vetëm ti e di, është një përmasë e pakufishme, një dimension i heshtur, që shpërthen sapo të duhet ta nxjerrësh.

- Ermira-grua, bashkëshorte, nënë. Çdo sfond i kësaj panorame njerëzore ka një domethënie. Si i interpreton Ermira këto role në skenën e jetës?

- Si grua, jam përpjekur gjithmonë të zë një vend në jetë. Si bashkëshorte, them se jam sa e mirë, aq edhe e vështirë sepse martesa dhe karriera s’para dëshirojnë të rrinë bashkë. Si nënë, këtu ndaloj, kthej kokën mbrapa e shikoj se kam lënë shumë gjëra mangut në karrierën time për t’iu kushtuar vajzës, por jam e kënaqur për këtë.

- Si u dshurove me këngën?

- Që e vogël, më ka pëlqyer poezia dhe më mahnitnin këngët me tekst të bukur. Këndoja shpesh me prindërit, ndërkohë që më “mërziste” shumë gjyshi im, mjek pediatër në Korçë, kur më detyronte ta dëgjoja kur i binte violinës… Por, pa dyshim, kjo gjë ka patur ndikim në veshin tim.

- Vitet kanë një perde të tejdukshme që mbulon kujtimet, por nuk i shuan ato, mjafton të mbyllësh sytë e të rikthehen mbresat. Të ndodh ndonjëherë t’u rikthehesh atyre?

- Më merr malli vërtet nganjëherë, megjithatë, nuk jam natyrë nostalgjike. Turnetë e pafundme nëpër Shqipëri, mikpritja e popullit, vendet dhe natyra, janë ato që më mungojnë më shumë! Fakti që arrita një kulm në këngë, për mua ka qenë mjaft…

- Ti, duket sikur ke bërë një kontratë të përjetshme me buzëqeshjen…

- Natyrën e qeshur e kam trashëguar nga nëna ime. Eshtë e natyrshme dhe nuk mund të rri pa të. Përse të mos buzëqeshim? Jeta është një ndër dhuratat më të bukura që na jepet, privilegji që ta shijojmë. Jam shumë e kënaqur që e ka trashëguar edhe vajza ime.

- I ke kënduar shpesh dashurisë… Çfarë vendi zë ajo në jetën tënde?

- Dashuria për mua është çelësi i lëvizjes së jetës… është motivi. Pa e patur me vete atë, pa e ndjerë e ndarë me botën, s’mund të ndodhë asgjë e bukur. Kurrë nuk mund të ketë, sidomos, art të vërtetë pa qenë natyralisht e pranishme dashuria… në të gjitha format. Shpesh më qëllon të më pyesin se për kë e këndoj këtë apo atë këngë. Unë, në të vërtetë, nuk kam askënd në mendje. Është vetëm një mall, do ta quaja hynor, që më mbështjell sa herë bashkohet një tekst i bukur me një muzikë që më pëlqen, që nuk të lë të flesh derisa ta këndosh. Nuk mund të imagjinoj kurrë një njeri të keq duke bërë vepra të mira arti. Dashuria zë vendin kryesor në jetën time, marr dhe përpiqem të jap sa më shumë prej saj.

- Fëmija, me prindër artistë, quhet një fëmijë arti… E ke menduar ndonjëherë vajzën tënde duke ndjekur këtë rrugë?

- Dorela ka një emër muzikor. Janë tre nota të pentagramit… Premisat ishin që ajo të ndiqte këtë rrugë, pasi i pëlqen shumë kënga, por nuk ka zë. E çuditshme, se edhe bashkëshorti im, Sandri, ka zë të bukur! Ajo ka zgjedhur të bëhet dentiste, të kujdeset për buzëqeshjen e të tjerëve që ka pak afrimitet me artin, i cili kujdeset për buzëqeshjen e shpirtit! Parimi im është që ajo të shkëlqejë, po mundi, në fushën që zgjedh… Kështu, jam shumë e kënaqur.

- Të ka ndodhur ndonjëherë të shikosh qiellin e të thuash: “Unë sot jam e lumtur se…”?

- Më ka qëlluar vetëm dy herë, kur kam lindur vajzën, sepse e doja vajzë dhe në një moment shumë të vështirë, kur ajo rrezikoi jetën dhe jeta ju rikthye sërish. Nuk e njoh lumturinë si koncept, rrjedhojë e karakterit tim, ndoshta. Më ka pëlqyer shumë një thënie e Shopenhaurit: “Lumturia mund të jetë shuma totale e të këqijave të shmangura…”. unë do të flisja më shumë për gëzimet; ato i kam shumë të shpeshta.

- Ambienti i artit është i veçantë… Çfarë të pëlqen dhe çfarë të bezdis në të?

- Oh, ç’më ke kujtuar! Ambienti i artit, në shumicën e rasteve, është shumë i këndshëm për aq kohë sa ekziston ajo dashuria për të cilën folëm… Kur ti je në një ambient artistik të të njëjtit nivel, nuk ka gjë më të bukur se ai ambient. Në momentin kur të takon të ndodhesh në ambiente artistike apo grupe ku ka diferencë nivelesh, është pak e vështirë të thuash se janë të bukur! Në këto raste, unë zë një qoshe dhe… lexoj.

- Skena është si një piedestal ku ndjen se mund të fluturosh, apo jo?

- Vërtet, krahë të jep skena… shumë bukur e the… Bashkatdhetarët tanë sot i ke kudo. Më kanë lënë mbresa të veçanta komuniteti i Lionit në Francë, në Danimarkë e Suedi, Gjermani etj. Shqiptarët e shpërndarë nëpër botë janë shumë të përmalluar dhe i presin mirë të gjithë mysafirët artistë. Pa diskutuar që këtu në USA jemi si të shtëpisë, sidomos në kounitetin e Bostonit.

- Çfarë marrëdhënieje ka Ermira me natyrën?

- Natyra është mikja ime më e mirë, më e sigurtë. Më mahnit çdo grimcë e saj, që nga lulet e vockla që dalin të parat nën bar apo dëborë, në pranverë zhurma e shiut që më lë pa mend e më vë në gjumë si një këngë. Më befason një det i madh që ndodhet nën shkëmbinj. Më ka lënë pa fjalë pamja mahnitëse e kanoneve të Arizonës. Nuk ka kamera apo foto që ta mbështjellë e ta japë realisht fuqinë e bukurisë së asaj natyre, atë emocion që përjeton në atë moment. S’më tremb asgjë që e ka emrin natyrë… e dua aq shumë sa nuk ma nxë goja ta them atë fjalë.

- Në një këngë të Xhovanotit, thuhet: “Ty, substancë e ditëve të mia… ty, substancë e endrrave të mia…” është një dedikim dashurie! Cila është substanca e ditëve dhe e ëndrrave të Ermirës?

- Rastësia, mundësia, kurajoja… E marr jetën siç është e siç më vjen. Ndërkohë, edhe i krijoj ditët e mia. Nuk e konceptoj idenë që ka ditë të mërzitshme. Gjithmonë ka diçka që mund ta bësh. Ndoshta mund të shtoj që dita, si edhe jeta, është shumë e shkurtër. Ëndrrat janë të shumta… Më jep kënaqësi të veçantë shërbimi, që nga pleqtë, deri te të sëmurët. Kam një ëndërr në sirtar si grua: Të shkoj andej nga Veriu e t’u mësoj gatimin grave… Duket për të qeshur, por siç e thashë, kam shumë gjëra akoma për të bërë në këtë jetë, se ajo më ka dhënë privilegjin ta jetoj.

- Ç’do të thotë për ty “talent i ri” dhe ç’këshillë mund t’i japësh atij, nisur nga përvoja që ke?

- Një talent i ri është ai që i ka provuar të gjithë elementët, duke filluar nga shpirti, zëri, pamja, aftësia për të bërë performancë, inteligjenca aq e domosdoshme për të kërkuar dhe gjetur zhanrin që ndriçon zërin e e tij apo i jep veçanti dhe ngjyrë. Do t’i thoja një talenti të ri të bëhet model i mirë në të gjitha aspektet e personalitetit artistik. Vetëm kështu do të ketë një karrierë të gjatë dhe nuk do të harrohet nga publiku.

- Ka shumë këngë shqiptare, sidomos popullore, që janë përpunuar me një tendencë muzikore orientale… Si e shikon këtë ndryshim?

- Muzika orientale është përdorur pak a shumë kudo kohët e fundit, është tendencë e kohës. Stingu, për shembull, e ka përdorur shumë, por nuk e ka kopjuar, ka marrë elementë të saj, ndërsa te ne është kopjuar tërësisht; përkthehen fjalët dhe serviret në shqip. Është një fenomen që po e dëmton seriozisht traditën tonë.

- Lashë për në fund, si ëmbëlsirë, një pyetje që e kam për zemër: Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një njeri special, një rastësi, një mundësi… Ti, çfarë ke ndjekur?

- Në fëmijërinë time kam patur një mësues, një udhërrëfyes, një shembull që më ka rritur; dajën tim të shtrenjtë, mik i Lasgushit, Mitrushit e i Kadaresë. Ishte një disident i mirëfilltë, kritik, letrar dhe, mbi të gjitha, shumë human. Prej tij kam mësuar rrugën drejt njohjes e çdo gjë të bukur që ka jeta, që nga ato që duhet të lexoja e deri te sjelljet me botën. Nuk do t’i harroj kurrë takimet e tij me Lasgushin. Unë, si mace, rrija në mes e, megjithëse e vogël, thithja çdo gjë që ato flisnin, edhe pse shumë gjëra nuk i merrja vesh. Një detaj nuk e harroj kurrë, mënyrën si fliste dhe si recitonte Lasgushi. Ai njeri i shtrenjtë është ai që unë kam ndjekur. Quhej Qani Collaku dhe, në mendimet e mia është gjithmonë ai zë, ai njeri special!  

Pubblicato in Interviste. Etichette: . Lascia un commento »

Burim Cerloj, balerini i talentuar shqiptar në Itali

Nuk më  ka penguar fakti që jam shqiptar 

Anila Kadija: – Përshëndetje Burim!

Burim Cerloj – Përshëndetje! Më duket paksa e çuditshme që kam mundësinë të jap një intervistë në gazetën që e kam lexuar dhe pëlqyer qëkur isha 15 vjeç. Kam dhënë një intervistë për ju në vitin 1997, me grupin e atyre viteve, Music of Space. E ruaj akoma atë artikull. Më ka sjellë mbarësi!

- Kam parë  foto të tuat me grupin me të  cilin punon këtu në Itali. Aktualisht, po jepni shfaqjen “Notre Dame De Paris”, nëpër qytete të ndryshme. Është e natyrshme ta fillojmë me një pyetje të thjeshtë… Mund të na i tregoni hapat tuaj të parë?

- Në  vitin 1999, si shumë të rinj shqiptarë, nuk shikoja ndonjë  perspektivë të madhe, për fat të keq… Kështu, në gusht të atij viti, gomonia u bë “avion” për të kaluar detin. U stabilizova në Padova, ku kisha motrën, fillova punë menjëherë si murator në ndërmarrjen ku punonte edhe kunati. Si e kemi ne shqiptarët, që në familje, i japim një dorë njëri–tjetrit… Jemi njerëz me dinjitet, prandaj nuk na tremb puna. Megjithëse ëndrrat e mia ishin diku larg në fantazinë e një djali të ri… Kam punuar në të zezë, duke vënë në rrezik edhe veten, siç e vura kur kalova detin, por në jetë duhet të provosh, po besove. Punova kështu për katër vjet, derisa mora dokumentet, se nuk mund të rrija tërë jetën klandestin! Ndërkohë, natën punoja nëpër diskoteka si kubist, merresha edhe me marrëdhëniet publike, duke bërë publicitet apo duke i ftuar të rinjtë në ato disko ku punoja.

- Thuhet shpesh, në mënyrë figurative, se kemi afër një engjëll që na udhëheq në fatin tonë. Ti, e beson një gjë të tillë? Në realitet, ka qenë për ty ndonjë njeri të ka hapur një derë fati në botën e artit?

- Një  natë, kur isha duke kërcyer në diskotekë sipër kubit, më pa një balerin profesionist që kish ardhur në diskotekë me një koreograf me famë, që quhet Mauro Astolfi. Atij i pëlqeu mënyra e improvizuar e të kërcyerit tim. Më përgëzoi dhe u çudit kur dëgjoi se nuk kisha studiuar asnjëherë balet. Më ftoi të zbrisja sa më parë në Romë, për të studiuar në një shkollë të tijën, në IALS, ku më dha edhe një bursë studimi. Kështu, në moshën 23 vjeçare, hodha hapat e parë si profesionist. A mund ta konsiderojmë atë person që më besoi dhe më dha mundësinë për të studiuar, si një engjëll në krahët e ëndrrës time?!

- Emocionet e para në skenë si profesionist…

- Më  kujtohet kur koreografi dhe regjisori me famë botërore, Micha Van Heke, në një edicion ku u provuan rreth 100 konkurues, më zgjodhi mua dhe pesë balerinë të tjerë si balerinë për koncertin e madh të Vitit të Ri. Koncerti u dha në skenën e teatrit të njohur “La Fenice” të Venecias dhe u transmetua në Eurovizion dhe në RAI. Kisha vetëm tetë muaj që kisha filluar të studioja dance dhe emocioni që provova aty ishte kurorëzimi i një sfide që po i bëja kohës. Doja të krijoja sa më shpejt profilin tim si balerin dhe frutet e para po i korrja.

- Edhe një profesionisti i dridhen këmbët?

- Emocionet janë gjithmonë të pranishme e të shumta, nuk ka rëndësi sa vjet ke që kërcen, por të parat janë të veçanta. Më dridheshin këmbët dhe zëri… Më vinte mendja rrotull sa herë kisha nevojë të ulesha diku. Mund të tregoj në këtë kontekst emocionet që provon në Arenën e Veronës. Kur hyn në skenë, të duket si çdo spektakël tjetër, por kur ndizen dritat mbi publikun që do të të duartrokasë ty, kupton që spektakli fillon aty. 15 mijë persona do të vlerësojnë punën, pasionin, talentin tënd. Ky është një ndër emocionet më të mëdha që të shton rrahjet e zemrës dhe bën të të mungojë ajri.

- Më ka pëlqyer shumë një foto ku në sfond është perëndimi, qielli që përqafon detin… Të mungon ai perëndim i kuq shqiptar?

- Përgjigjja është e natyrshme… Unë jam durrsak, i lindur dhe i rritur atje, prej brezash. Ai perëndim prezanton gjithçka; momentet e vështira dhe të lumtura, si edhe ato të trishtuara apo melankolike. Mjafton të shikoj detin me atë perëndim dhe reflektimi i valëve më dërgon gjithmonë përtej Adriatikut. Më mungon aq shumë sa, ndonjëherë, fjalët janë të pafuqishme për të shprehur mallin që kam!

- Ku qëndron forca jote?

- Te vetvetja. Unë mendoj se çdo njeri duhet të jetë i vendosur për atë që kërkon në jetë, të jetë  këmbëngulës dhe i thjeshtë. Unë nuk kam një familje të pasur në Durrës. E kam krijuar gjithçka në jetë  me punë dhe sakrifica të mëdha. Dua t’u jap një mesazh pozitiv atyre që kanë pasione në jetë. Besoj se nëse unë ia kam arritur qëllimit tim për t’u bërë balerin profesionist, pak a shumë me një vit shkollë, por me shumë punë, duke u ushtruar natë e ditë, besoj se çdokush mund të arrijë çfarë dëshiron.

- Cila disiplinë e baletit të pëlqen më shumë?

- Hip–hopi më ka pëlqyer gjithmonë. E kërcej atë ritëm kudo që ma kap veshi. Megjithatë, unë i kërcej të gjitha disiplinat e muzikës dance.

- Zilia është një difekt apo i jep shtysë profesionalizmit?

- Varet si e interpreton atë. Zilia pozitive, në profesionin tonë, duhet. Ajo të bën të jesh më i shkathët dhe të shkosh më larg, por gjithmonë kur është e shoqëruar me shumë punë, pa e ekzagjeruar dhe pa e shprehur haptazi. Them me sinqeritet që më ka ndodhur edhe mua ta provoj zilinë! Nuk ka ambient pune ku të mos provohet. Eshtë normale. Mjafton të të respektojnë dhe të respektosh kolegët, ta përdorësh si armë ndërtuese dhe jo shkatërruese për vete e të tjerët.

- Në grupin ku je, e ndjen veten të huaj?

- Ky grup është  fanatastik! Jemi të gjithë shokë e miq. Çdonjëri nga ne ka një veçanti në kërcim, gjë që na bën të jemi të gjithë të rëndësishëm në  trupë; të gjithë, me kapacitet. Në këtë grup është  një shqiptar tjetër që punon si teknik. Nuk ka dallime midis nesh përsa i përket kombësisë. Simpatia dhe respekti reciprok na shoqëron në çdo moment të ditës, që nga prova, te shfaqja apo te një picë mes miqsh. Tani po shëtitim Italinë me shfaqjen “Notre Damë De Paris”, një spektakël i mrekullueshëm, me muzikën e Rikardo Koçantes. E ndjej veten në një familje të madhe artistësh! Pastaj, në këtë spektakël flitet edhe për klandestinët që kërkojnë azil. Kur kërcej nën melodinë e asaj thirjeje, ndihem në jetën reale. Kush më mirë se unë që e kam jetuar klandestinitetin, mund ta interpretojë atë rol? Të qenit i huaj nuk është një pengesë, përkundrazi, është një eksperiencë që të ndihmon.

- Të pëlqen moda? Ke një stil tradicional apo të veçantë në veshje?

- Mendoj se nuk ka artist që të mos kujdeset për vetveten. Altamoda nuk më pëlqen, por them se balerinët në përgjithësi, vishen trendi. Ne duam ta tërheqim vëmendjen edhe kur nuk jemi në skenë. Stili im është trendi dhe origjinal.

- Ndikon ambienti i punës në marrëdhënien në çift?

- Kur jeton 24 orë me të njëjtët persona, lindja e ndjenjave është e natyrshme. Unë, aktualisht, jam i fejuar me një balerinë, megjithëse gjithmonë kam menduar të kem një raport sentimental larg profesionit. Është pak si e pamundur të gjesh dikë që të të kuptojë më mirë sa kuptohemi midis artistësh. Jemi gjithmonë në lëvizje dhe kemi pak kohë për t’i dedikuar të tjerëve. Kështu vetëm një person që njeh mirë profesionin tonë, mund t’i përballojë dhe ta kuptojë largësinë dhe kohën e gjatë të shfaqjeve.

- I njeh balerinët e tjerë, Klajdin, Kledin, Ambetën, Leon etj?

- Njihemi pothuajse të gjihë… Mendoj se ata kanë arritur atë që meritojnë. Shpresoj që ne të gjithë të rinjtë e baletit shqiptar jashtë, të jemi një shembull pozitiv për atdheun tonë, sepse toka jonë është e mrekullueshme dhe duhet të jetë e nderuar në botë. Kjo është detyrë e jona.

- Si e mendon të ardhmen?

- Më  pëlqen kjo pyetje sepse ndërthur atë që kam bërë  deri më sot me atë që kam dëshirë të  realizoj akoma. Kam hedhur hapat e parë në Durrës, ku këndoja me grupin Music of Space. Kemi inçizuar para pesë vjetësh një cd që titullohej “Refleksion” dhe dy videoklipe muzikore që transmetoheshin shpesh në BBF televizion. Këngët titulloheshin “Gangsteri” dhe “Kujtimi yt” Kërkonim të bëheshim të njohur si artistë dhe kemi përcjellë gjithmonë mesazhe pozitive. Një nga pjesëtarët e grupit, sot është një DJ shumë i njohur në Lombardi.

- A ka ndonjë  gjë që nuk ke për ta harruar kurrë?

- Nuk do ta harroj kurrë rolin e parë që më dha regjisori Micha. Përfaqësoja figurën e tij kur ishe i ri. E nisa fillimisht me kompani baleti të vogla, derisa arrita në kompaninë e madhe “Ensemble”, drejtuar nga regjisori e koreografi Micha Van Hoecke. Kam kërcyer për të, katër vjet. Më vonë mora pjesë në shumë audicione, që më dhanë mundësinë të kërceja te baleti “Romeo e Zhuljeta” i Rikardo Koçantes dhe tani, te “Notre Dame De Paris”. Kam kërcyer nëpër filma si ky i fundit, “Jago”, me Nikolas Vaporilis dhe Laura Kiati. Do të më pëlqente që në të ardhmen të këndoja si solist… Deri më tani kam kënduar në koret e operetave. Ndoshta ky do të jetë një tjetër objektiv për t’u arritur. Falënderoj “Intervistën” dhe përshëndes Durrësin tim!

Me kompozitorin dhe pianistin e njohur në të gjithë botën, Xhovani Alevi

Instrumentistët shqiptarë, më kanë mahnitur! 

Xhovani Alevi, kompozitori dhe pianisti i talentuar i muzikës klasike bashkëkohore, ka lindur në Itali më 9 prill 1969. Ka mbaruar konservatorin për Kompozim dhe Piano, me rezultate të shkëlqyera, si dhe ka mbaruar universitetin në degën e Filozofisë, me rezultate të shkëlqyera, duke e mbrojtur diplomën me tezën “Boshllëku në fizikën bashkëkohore”. Me muzikën për piano, të kompozuar nga ai, janë inçizuar katër përmbledhje: “13 gishtërinjtë” (1997), “Kompozimi” (2003), “Asnjë koncept” (2005) dhe “Joy” (2006), që kanë korrur sukses të jashtëzakonshëm, me më shumë se 250.000 kopje të shitura. Koncertet e tij përreth botës, e kanë shtuar numrin e fansave të tij dhe e kanë bërë atë të emërtohet nga kritika artistike si zëdhënësi i së resë krijuese muzikore, italiane!

Nuk isha takuar asnjëherë me të, kur dikush më  dhuroi një ftesë për në  koncertin që do të zhvillohej në  qytetin e Barit, në Pulia, ku kisha shkuar me pushime. Jam adhuruese e muzikës së tij dhe, kurrë nuk e mendoja se do të më jepej mundësia ta intervistoja. Do të më kishte mjaftuar një autograf, në librin dedikuar jetës së tij artistike dhe, për këtë, i kërkova ndihmë menaxheres së tij, Nada Bernardos.

- A mund t’ju kërkoj një nder? Jam fanse e Alevit dhe gazetare shqiptare në Itali… Një dedikim i tij në librin që kam me vete, do të më mjaftonte. Nuk pretendoj për intervistë, pasi duhet të kisha lënë takim më parë me ju…

- Ju jeni gazetare shqiptare?! Xhovani ka dhënë një koncert shumë të bukur në Tiranë… Do të jetë entuziast t’ju takojë. Pas pesë minutash do të vij t’ju marr për bisedën me të. Është një kënaqësi të flasim me gazetarët e huaj. Si mund t’i lërë ai pas dore dëgjuesit dhe fansat kudo në botë?!

Kur u gjenda përballë Xhovanit, nuk po u besoja syve. Sa herë  më kishte çlodhur me virtualitetin e tij artistik!

- Eshtë  nder për mua që një gazetë  shqiptare do të më pyesë, sot, në  prag të këtij koncerti që  bëhet në qytetin e Barit, në kufirin e emigracionit të viteve ‘92. Kalojnë kohët dhe gjërat ndryshojnë… – e nisi bisedën ai… 

Anila KADIJA: – Ndjehem me fat që një  kompozitor dhe artist i madh si ju, po më  dedikon kohën e tij. Kur ju ka hyrë  në zemër muzika?

Xhovani ALEVI: – Prindërit e mi janë artistë dhe në shtëpinë time ka mbizotëruar gjithmonë pianoja, si një instrument i shenjtë. Një herë, kur isha i vogël, fillova të godisja tastierën me grushta, siç mund të bëjë çdo fëmijë kur kërkon të luajë… Nuk e harroj efektin e fjalës së tim eti, i cili, me një ton autoritar, më tha: “Pianoja është diçka serioze”. Këto fjalë, më përcollën një sinjal…

- Kështu nisi një rrugë, një pasion?

- Fillova të  mësoja vetë, pasi askush nuk më mësonte… Vjedhurazi, kur nuk kisha njeri në shtëpi, fillova të luaja gishtat në tastierë dhe kështu, zbulova akordet. Nuk më interesonte muzika, më dukej shumë e vështirë për mua. Duke shtypur një tast po dhe një tast jo, kuptoja pak nga pak sekretin e muzikës, sekretin e kombinimit të notave.

- Ju kujtohet hera e parë kur keni luajtur në  piano për të tjerët?

- (Qesh) Posi jo?! Nuk do ta harroj kurrë! Në një koncert, në shkollën fillore, kisha një pjesë komike… Vështrimi im shkonte vazhdimisht në një qoshe të skenës e ndeshej pa pushim me një piano të vjetër. Dukej sikur po më bënte ftesë… kisha kohë që në shtëpi “luaja” me të dhe nuk e dinte asnjeri. Ajo më kishte trasformuar në një fëmijë shumë të mbyllur në vetvete. Nganjëherë, kur ishim duke ngrënë dhe në kuzhinë dëgjoja tingull gotash, ndërsa babai im thoshte: “Kjo është Si bemol!”, unë, në kokën time, mendoja: “Unë them se është La bemol!”. Kështu më ndodhi edhe në atë koncert. Pianoja e vjetër më thërriste me nota. Shkova drejt saj pa e kthyer kokën. U ula me pasigurinë e një fëmije, por në kokën time, notat ishin një himn… Zgjodha Shopenin, “Preludin” në La magiore. Që nga ajo kohë, muzika u fut në jetën time si një mike me të cilën bashkudhëtoj… ajo është shtriga kapriçioze!

- Shtriga kapriçioze?

- Po, kështu e quaj muzikën time sepse është e papritur, troket kudo në shpirtin tim, edhe kur ndodhem në një supermarket ku po bëj pazarin. Ajo nuk pranon rival; kur e ndjen që unë po i dedikohem diçkaje tjetër, vjen dhe më tërheq me notat e saj, kërkon vëmendje nga unë. Kjo ka ndodhur edhe kur fillova të merresha me librin tim që ka dalë kohët e fundit: “La musica in testa” (“Muzika në kokë”). Ishte gjithmonë e pranishme, kudo. Mua më duhet të kem gjithmonë një fletë pentagrami në xhep, për ta shkruar sa herë që ajo troket. Muzika ime nuk respekton minutat, ajo ka kohën e saj të papërcaktuar, nuk do t’i bëhet sfond asgjëje, nuk do padronë; është ajo dhe askush tjetër!

- Të  ka zhgënjyer ndonjëherë?

- Jo, asnjëherë… as kur kam provuar sfidën e skenës për herë të parë, në Napoli, më 9 Prill 1991. Atë ditë mbushja 22 vjeç dhe ai ishte koncerti im i parë. Në sallën Skalati të Napolit, afishet publikonin: “Mbrëmje xhaz me Xhovani Alevin”. Në sallë kishte vetëm pesë persona dhe unë i rashë pianos vetëm për ata, atë mbrëmje. Mund ta merrni me mend turpin që kam provuar, por e kisha shumë për zemër atë koncert, kështu që fillova me Bahun, “Sarabanda”, “Kapriço”… Atë të pestë ishin pak, por duartrokitjet, shumë, të shoqëruara me një buzëqeshje që nuk donte t’u ikte nga fytyra. Mbas pesëmbëdhjetë vjetësh, mbas suksesit në Kinë dhe në Amerikë, u riktheva në Napoli në të njëjtën skenë, por me një ndryshim; kësaj radhe njerëzit shtyheshin me shpresën se do të gjenin një vend në radhën e parë… Atje i kam gjetur përsëri ata të pestë, publikun tim të mrekullueshëm të atij koncerti të parë!

- Ju keni bërë të pamundurën për të  takuar Mjeshtrin Muti, më 8 dhjetor 2000…

- Do ta quaja si një mision të pamundur të Xhejms Bondit! Në  jetën time nuk kisha qenë kurrë kamarier, por nuk kisha shans tjetër për të bërë që mjeshtër Muti, dirigjenti i madh i “Skalës” së Milanos, të njihte pak muzikën time. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Dukej tamam sikur të isha në skenën e një filmi, me ndihmën e mikeshës sime, znj. L., e cila më futi si kamarier në restorantin ku ai do të vinte për darkë. Kam kaluar gjithë kohën me tensionin e një adoleshenti që nuk di as të ecë, le pastaj të shërbejë, megjithatë, kur beson në misionin tënd, ia arrin gjithmonë qëllimit. Në fund të darkës, kur ai po ikte, munda ta ndaloja e të prezantohesha. I thashë se isha një pianist e kompozitor i ri dhe se kisha pranuar të shërbeja në atë restorant si kamarier, vetëm për ta takuar e për t’i dhënë CD-në e muzikës time. Ai u mahnit dhe e vlerësoi pa masë gjestin tim. Sopranoja që ishte në krah të tij dhe që e njihte muzikën time, më përshëndeti dhe më tha një frazë që nuk do ta harroj kurrë: “You vvill be famous!” (angl. Ju do të bëheni i famshëm!).

- Ju keni shumë eksperienca në fushën e muzikës. Cila prej tyre ka qenë më e vështira?

- Puna me të rinjtë, në shkolla. Më kishin caktuar njëherë mësues në dispozicion, në një shkollë tetëvjeçare. Nuk kisha autoritet dhe të rinjtë bënin një rrëmujë të madhe në orën time. Isha i dëshpëruar, nuk mund t’i ndihmoja ata të më kuptonin, kështu që vendosa që në orën e muzikës, kushdo prej tyre të sillte një Cd me muzikën që i pëlqente. Unë ëndërroj për një shoqëri ku të gjithë të rinjve u jepet mundësia për t’iu afruar një instrumenti muzikor. Jeta e tyre afër muzikës do të ndryshojë shumë e ndoshta do të kenë më shumë respekt për kulturën, për ekzistencën tonë, pa mendimin e kotë për të jetuar ëndrrat e të tjerëve.

- Amerika qe për ju kurorëzimi i një  karriere brilante. E patët të  lehtë të arrinit deri atje?

- E pata shumë  të vështirë, por mua më kishte frymëzuar jeta e Maria Kalasit. Ajo, për t’u bërë e njohur në botë, kishte ëndërr një koncert në Nju Jork, koncert të cilin e realizoi dhe ai i hapi dyert e karrierës. Edhe unë mendova të bëja të njëjtën gjë. Kontratën e parë e shkrova te “Village” e “Blue Note”, një atmosferë e stilit të viteve shtatëdhjetë, ku ka interpretuar Miles Davis, Ela Fitcxherald, Duka Elington. Në atë skenë ka kaluar e gjithë historia e xhazit. Nuk ka qenë e lehtë… më kujtohet që flisja edhe me pianon. “Mos u shqetëso, më thoshte, se ankthi që po ndjen tani, në pritjet e gjata, nuk është asgjë para gëzimit të koncertit që do të bëjmë të dy”. Kur shikon botën nëpërmjet syve të muzikës e të ëndrrës, mund të flasësh me sendet pa asnjë problem. Atë 6 mars 2005, kam falënderuar qiellin për sfidën… Jeta ime nisi të merrte formën e plotë; muzika kishte buzëqeshur.

- Nuk ke frikë kur je në skenë?

- Unë  kam dhënë koncerte kudo në Itali, Kinë, Japoni, Amerikë, Europë, Rusi, Kanada… Kam interpretuar përballë një  publiku të pafund në shfaqje të drejtpërdrejta televizive e radiofonike dhe të gjithë të rinjtë më kanë bërë të njëjtën pyetje: “Po ti, nuk ke frikë kur ekzekuton në piano?”. Shumë njerëz i kanë lënë studimet për shkak të kësaj frike. Atëhere unë nuk e kuptoja përse duhet të ndjesh frikë, por tani e di! Nuk ka lidhje fare kapaciteti, impenjimi që i kemi dedikuar instrumentit; kjo frikë vjen nga gjykimi i të tjerëve. Kur studiohet një instrument, kalon vite e vite duke iu nënshtruar çdo ditë një gjykimi: Atij të mesuesve tanë, atij të prindërve, të prindërve të shokëve tanë e në fund, gjykimit tonë, që është më i keq dhe më i pashpirt se i kujtdo tjetër. Publiku duhet ta kuptojë se çdo artist ka të drejtën e një duartrokitjeje!

- Po me fansat, si komunikoni?

- Lexoj të  gjitha e-mailet që më dërgojnë personalisht. Ata janë me të vërtetë një burim gëzimi. Është jeta që të hap krahët dhe të përqafon kudo sepse ata janë frymë, gjak, lëvizje, vrapim, emocion. Një vajzë me emrin Axurra, më shkruante përpara disa kohësh: “I dashur Xhovani, nuk mund të bëj pa muzikën tuaj… Ju na lejoni të shkëputemi nga realiteti, të hyjmë në një përmasë hynore, që transformon në liri mendimet dhe frikën, bëni që të na vijë dëshira të jemi edhe më të mirë…”. Pa këto emocione, muzika mbetet letër. Vetëm kështu unë çdo herë që lexoj letrat dhe e-mailet e fansave të mi, kuptoj që shtriga kapricioze, injoruese dhe e pavarur, për të jetuar, ka nevojën e një zemre të motivuar që të di ta mbledhë, ta pranojë, ta ekzekutojë. Çdo individ është i vetëm, i papërsëritshëm dhe i jeton notat e mia në mënyrë personale, por çdokush ndihmon në realizimin e një vepre arti dhe, për këtë motiv, meriton të gjithë mirënjohjen time. Në fund të çdo koncerti, jam unë që dëshiroj firmën, autografin e dëgjuesve!

- Pyetjet e mia janë të pafundme, por koha nuk na e lejon të vazhdojmë gjatë, ndaj kam për zemër që pyetjen e fundit t’jua bëj për muzikën dhe instrumentistët shqiptarë…

- Jam ndjerë  shumë optimist në koncertin që kam dhënë në  Tiranë. Nuk pata shumë kohë të shikoja vendin, pashë shumë pak Tiranën. Atje njerëzit janë të jashtëzakonshëm, kanë një ngrohtësi që e shprehin edhe me instrumente. Më ka bërë përshtypje një gjë që dua ta nënvizoj. Ju keni në muzikën tuaj nuanca ballkanase, orientale, që e bëjnë muzikën të komplikuar e të veçantë… si është edhe imja. Orkestra e Tiranës ka shfaqur një talent të veçantë në përballimin e ritmikës së parregullt të kulturës muzikore ballkanase dhe që orkestrat perëndimore e përballojnë me vështirësi. Kam parë një respekt të madh në drejtim të kulturës dhe këtë, shqiptarët e paraqesin me një mikpritje të jshtëzakonshme. Kam mbetur shumë i kënaqur me nivelin dhe aftësinë e instrumentistëve shqiptarë. Ju përgëzoj për këtë!

- Atëhere, do të kemi rastin t’ju shohim sërish në skenën e Tiranës?

- Atje kam mësuar një fjalë në shqip që nuk e harroj, sepse ka një kuptim universal në të gjitha gjuhët e botës: “shpresoj”! Sa ka shpresë, ka jetë dhe optimizëm. Faleminderit!  

Iscriviti

Get every new post delivered to your Inbox.