Etleva Zenuni, vajza e Tiranës, e lidhur ngushtë me atë mars të largët të ’90-ës, sot është edukuese dhe ndërmjetëse kulturore në komunitetin “Të pashoqëruar në Itali”. Një grua shqiptare, me aftësi karakteriale dhe me pasion për të ndihmuar të dobëtit, di edhe t’i japë dashuri pa fund familjes së saj të shtrenjtë. Shpirt i butë, me zemër të madhe, emigrantja jonë nderon tokën piemontese me zërin e gruas shqiptare…
Torino, “Idea donna”, shoqatë pa interes fitimi, e themeluar ne dhjetor të vitit 2000, në shërbim të problemeve sociale. Do të thotë: Së bashku për të drejtat dhe barazinë e femrës! Qe nga 2008-a, presidente e së cilës është zonja Etleva Zenuni, vajza e Tiranës, qe ai mars i largët i ’90-ës i përket si ne të gjithë. Zë i bukur i gruas shqiptare, në ndihmë të femrës emigrante dhe jo vetëm. Nuk është e fjalëve të shumta dhe të intervistave Etleva, por kur e shikon tek komunikon me gratë nixheriane, që ndodhen në shtëpinë sociale të miqve, me gjashtë vende fjetjeje, pjesë e projektit të shoqatës. Tek ulet në tokë dhe provon bashkë, si është tradita e tyre me duar, pa pasur asnjë paragjykim apo ndrojtje, shijen e gatimit afrikan, të mbush me ëmbëlsi dhe krenari gruaje të vërtetë.
“Idea donna” – “Ide gruaje” kërkon t’i ndihmoje te gjitha gratë, në veçanti ato që jetojnë në situata braktisjeje sociale dhe familjare, duke i dhënë rastin të jetë zëdhënëse e tyre. Këtu, një ndihmë konvencionale ekonomike jep gjithmonë komuna e Torinos. “Projekti informatik, në lidhje me parashikimin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive seksuale, me dy audiovizione, të titulluara “You must secondo always” dhe “Getting better”, në bashkëpunim me ASL Torino 2, CGIL dhe Piemonte Anlaids, dëshmojnë në punën serioze dhe kompetente tonën”,- shton Etleva.
Por ajo e ndan kohen edhe si edukuese dhe ndërmjetëse kulturore ne komunitetin “Te pashoqëruar në Itali”. Komunitet minorenesh të huaj, të cilët kanë ardhur klandestinë dhe nuk kanë familje.
“Këtu mund të përpiqem të jem profesionale sa të duash, por si mund të kërkosh dhe të stabilizosh largësi profesionale, me djem që nuk e kanë dashurinë prindërore afër dhe më shumë se kurrë në këtë moshë kanë nevojë për një përqafim nëne!? Unë kam dy djem dhe e ndjej kërkesën e tyre pa fjalë – vetëm me vështrim. Mbrëmjeve, kur kam turnin e punës, më rrethojnë me kuriozitetin e rinisë së tyre, më pyesin si jam njohur me tim shoq… si e kaloj kohën me djemtë e mi, transparencë emotive e një mirësie të pafajshme. Përpiqem t’u krijoj një ambient të ngrohtë në ato orë që jam me ta, u flas për jetën, vështirësitë, por edhe sa mund ta gëzojnë se shfrytëzojnë mirë mundësitë që i ofron ajo, u mësoj gjuhën italiane që të kuptojnë atë çka është shkruar nëpër tekstet shkollore dhe ndjej që e realizojë një farë kontakti human që me edukatorët e tjerë nuk e kanë. Më respektojnë dhe ma dëgjojnë fjalën.”
Një grua shqiptare me aftësi karakteriale dhe pasioni për te ndihmuar të dobëtit, di edhe t’i japë dashuri pa fund familjes së saj të shtrenjtë: “Me qetëson pa masë nga e zhurma e ritmit ditor, të mbushur me tension dhe preokupim, gatimi, kuzhina. Më ndodh që të mendoj gjatë punës apo tek kthehem me biçikletë në shtëpi, drekën që do të përgatis. Një recetë të re që lexoj diku në ndonjë libër kuzhine, eksperimentoj me dëshirë si një amvisë e zakonshme… jam një grua normale si gjithë të tjerat, me shumë dashuri për jetën, asgjë speciale!” – buzëqesh ajo. Por speciale ka shumë shtoj unë, të qenit e vendosur dhe e qartë në idetë e saj. Sepse mjafton vetëm një sinjal alarmi ta kthejë në një uragan aksioni. Shpirt i butë me zemër të madhe emigrantja jonë që nderon në token piemontese zërin e gruas shqiptare.
Sot, mars 2010, mimozat kanë çelur sythat, ne i kemi ne duar…
Marsi shqiptar në Itali, çelin mimozat
Më kujtohet si sot, ndërkohë që po shkruaj këtë shkrim, 19 vite përpara. Ato ditë marsi, të një fluksi të jashtëzakonshëm emigracioni, që përcollën me dhimbje dhe shpresë nga bregdeti shqiptar në atë italian mijëra njerëz, mijëra jetë…. Diku, në atë rrugë të gjatë blu, tek një varkë në mes valëve, një grua shqiptare vlonjate lindi një fëmijë që e quajti Italia…
Rrugët e Brindisit, 7 Mars 1991, kishin marrë me vete ndjesinë e vajzës universitare që ëndërronte të behej një ditë mësuese apo gazetare, mimozat e asaj pranvere nuk kishin çelur për të, nuk i kishte në duar, si nuk kishin çelur për shumë, shumë gra e vajza shqiptare…
“Qui e altrove” – “Këtu dhe diku larg”, projekt me shkollat e mesme të qytetit të Parmës, pjesë e projektit te Provincës së Emilia Romagnia EDUC. Në një rastësi të bukur 7 Marsi, që përçon eksperiencën e shoqatave të huaja në opinionin e rinisë studentore vendase. Edukim “intercultural” (nderkulturor) dhe jo “multicultural” (shumekulturor) do të thotë ta ndërthurësh si një gërshet kulturën tende me atë vendase. Të kuptosh ndjeshmërinë që të sjell prania e një të huaji i çfarëdo race dhe kombi qoftë. Eksperienca ime ishte në shkollën agrare “Boçhialini”. Hoqëm bankat dhe u ulem në një rreth, ishim të gjithë aty si dëshmitarë të hallkave që krijojnë formën e Tokës. Të paidentifikuar, të përgjithshëm, por në të njëjtën kohë, të veçantë në vlerat personale, se çdo njeri nga ne është pjesë jete e jetuar… Ç’do të thotë i ndryshëm nga unë? Dikush u përgjigj: “Të më japësh kuriozitet në të qenit i tillë, nëse kjo ndjesi me provokon njohje është aftësi komunikimi… I ndryshëm nga unë, nuk të njoh, por mund të më pasurosh, po të njoha.
Vërtet kështu ndodh gjithmonë? Çdo njeri nga ne ka një karakteristikë që e bën speciale në ekzistencën e tij… Gregorio thotë që është i njohur për batutat qesharake, Xhiulio i rezervuar, Filipo i gëzueshëm, Ana me te qeshurën e zhurmshme, Cecilia e hareshme, Sara simpatike, Mikela e durueshme, Eduardo i kujdesshëm dhe hetues, Fabrizio për flokët e bukura që ka, Silvia llafazane, Aliçe e turpshme, Simone i qetë… etj. Karakteristika që i njeh vetvetes, ndryshon po të bazohesh tek ana e jashtme, siç ndodh shpesh, duke i vulosur në profilin e të huajve pa i njohur mirë ata. Perse të huajt vijnë në Itali dhe kërkojnë të heqin kryqet nga shkollat tona dhe krijojnë shkolla te gjuhës amtare si një provokacion kundërshtimi i kulturës vendase?
E ligjshme pyetja e një adoleshenteje të bombarduar nga një shtyp pak i qartë, për të mos thënë, me tendencë polemike. Si eksperiencë shkolle shqipe, këtu “Scanderbeg”, ben dy paralelizma. Së pari, përse mësimi i anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, nuk jep këtë reaksion si mund të japë mësimi i gjuhës shqipe?! Të mësosh gjuhë të huaj, do të thotë thjesht të jesh i zoti të manovrosh komunikimin dhe të kesh një vështrim me komplet rreth interesimit që ka lidhje me botën që të rrethon, gjuha e huaj është kulturë dhe si e tillë nuk mund të jetë asnjëherë armë negative në duart e askujt. Së dyti, çdo komb që ka në bazën e tij familjen, vlerëson gjuhën e origjinës, sepse është një urë kalimi midis brezave. Lidh hallkat e një tolerance dhe mirëkuptimi familjar. Si mund të komunikojë një gjysh shqiptar me nipin apo mbesën e lindur dhe të rritur këtu, pa ditur shqipen!
Ky projekt domethënës ka disa vite, qe shtrihet në këtë periudhe, në shkollat e ciklit të mesëm. Bashkëpunojnë shoqata “Scanderbeg” me përfaqësuesin e saj avokatin dhe presidentin Gentian Alimadhi, shoqata afrikane “Le resau” (Rrjeti), me përfaqësuesin e saj, Cleophas Dioma, dhe shoqata italiane me tematikë sociale “Kwa dunia” (ne qiell dhe ne toke) me përfaqësuese Alessandra Dotti. Zëra që japin sfond të qartë, kulturave dhe edukimit paqësor, pozitiv, të brezit te ri këtu në Parma.