FOTO © bajrak.wordpress.com
Të shtunën e kaluar, 20 shkurt 2010, në teatrin e vogël, por të çmueshëm “Il Vicolo”, që korrespondon me muret e parkut madhështor “Il Parco Ducale” të Parmës, u nis rruga e një eksperiencë të re. Bashkë me mushkëritë e blerta, të klimës antike të mesjetës së Maria Luixhës, dukeshës së Parmës dhe gruas së Napolon Bonapartit, vend i një historie dhe një kulture Parmixhane, e vlerësuar nga e gjitha bota, morën jetë kulturore edhe rrënjët e Shqipërisë!
Emocionuese mbrëmje teatrale e drejtuar nga regjisori Albert Bekja, me të talentuarin Indrit Cela, që zgjodhi dhe përgatiti të rinjtë e grupit teatral emigrantë në Parma, ne bashkëpunim të ngushtë me shkollën shqipe dhe fëmijët e talentuar të sajë. Një aktivitet domethënës, ku për çdo të shtunë, çdo komunitet i huaj paraqiti jetën dhe rëndësinë e artit skenik nga ku e ka prejardhjen. Midis tyre përmendim komunitetin grek, atë indian, afrikan, pasqyrë ngjyrash të tokës e popujve me veçanti kulture, stili dhe atmosfere. “Rrënjët nuk emigrojnë” një spektakël, në programin e shoqatës “Scanderbeg”, që mori jetë me provat e shumta në ambientet e shkollës shqipe “Instituto Alfieri” i Corpus Domini. Fillimisht, me pasiguri, eksperiencë e parë, e natyrshme mëdyshja e realizimit të një pjese të përkryer. Por, në realitet, talenti i një artisti që asnjëherë nuk ka ndaluar të besojë në vërtetësinë e idesë artistike të tij, kalon çdo pengesë emotive. Kështu, mund ta paraqesë me dy fjalë ëndrrën e Albertit, energji pozitive dhe krijimtari e bukur për të arritur një spektakël teatral me dinjitet!
Një ngjarje skenike teatrale dhe muzikore, e ambientuar në një familje emigrante shqiptare, në Parma. Ardhja e gjyshit nga Tirana, komunikimi me mbesat që janë rritur dhe lindur në Itali. Hapet perdja e kadifes së teatrit si hapja e një faqeje libri, ku janë shkruar shumë jetë emigrantësh, shumë realitete, ndoshta edhe të injoruara, por që kanë transmetuar oksigjen në mushkëritë e qyteteve të huaja, kanë dhënë fluksin e energjisë së shpatullave, të sakrificave të përditshme, të mbijetesës përtej kufijve, pa harruar asnjëherë tokën ku ju kanë mbetur rrënjët. Kështu nis të fryjë fllad komunikimi me publikun që u elektrizua nga emocioni. Debora Lika, Esmeralda Spahiu, Jora Ndreu, Gianet Paja, në rrolet e mbesave, me dialogun në gjuhën shqipe edhe se kanë lindur dhe janë rritur në Itali, i dhanë një konform mësimit të gjuhës amtare me interpretimin e tyre të shkëlqyer! Po ashtu, Roni, Sindi dhe Flavio Karamito me poezitë. Fjala poetike e rilindësve tanë, paralelisht me poezinë italiane, si një sinjal integrimi dhe respektimi kulturor, si dhe ajo e shkruar nga talente të rinj të penës shqiptare këtu, shembulli i studentes, Denada Alimadhi, të interpretuara me ëmbëlsi dhe pasion nga Anisa Vokshi, Marsida Narta, Dritan Dardha, Jonida Dervishhasani si dhe këngët italiane të interpretuara aq bukur nga Enfrid Bekja dhe Tania Galante, injektuan në sallën e vogël vëmendje dhe entuziazëm me duartrokitje të shumta. Atmosfera artistike vuri theksin edhe mbi pavarësinë e Kosovës. Si pjesë e atyre rrënjëve që shekujt dhe ngjarjet nuk munden t’i shkulin asnjëherë nga identiteti i kombit shqiptar. Nuk mund të lë pa përmendur profesionalitetin në zgjedhjen e muzikës, të sfondit skenik të teatrit dhe të intensitetit efekt ngjyrash dhe drite, si gjithmonë të përzgjedhura me shije, nga imprenditori, informatiku i talentuar, ish-presidenti e shoqatës “Scanderbeg”, Durim Lika. Si dhe fotografinë dhe videot artistike të publikuara rreth aktiviteteve shqiptare këtu, nga Tonin Bajraktari.
E fillova këtë reportazh me frymëmarrjen e gjelbër të historisë së Parmës, pa harruar ritmin e valles sonë. Një flutur e skenës shqiptare, profesionistja Lindita Sota Bekja, e shoqëruar nga valltari diletant, Spartak Dedja, duke harmonizuar në lëvizjet e saj profesioniste, solli tek ne çdo ëndërr dhe kujtim të bukur që i bashkëngjitet memories sonë. Kostumet dhe këngët tona popullore, gjuha shqipe, aktorialiteti me pasion, puna e një grupi të bashkuar që beson në idetë dhe i realizon ato së pari për kënaqësinë thjesht personale, pa dyshim, arrin rezultatin e një suksesi!
Nga Anila KADIJA – Zv/presidente e shoqatës “Scanderbeg” per gazeten REPUBLIKA






16 marzo 2010 alle 21:58
Ne saje te pershkrimeve me shum kolorit e te gjithe pjeseve te spektaklit, ku krahas pendes se gazetares spikasin edhe ndjenjat shpirtnore te autores , mendoj se ky artikull asht mjaft i arritun , e natyreshem gezon simpatine dhe respektin e gjithe pjestareve te grupimit ” Skenderbeg-Parma”. Te faleminderit Anila…