FOTO © bajrak.wordpress.com
Në fushatën elektorale administrative italiane, kur është koha për votime, fillojnë gjithmonë debate të ndezura tensioni në drejtim të së drejtës së votës për emigrantët. E shikon në programet televizive, në debatet politike. Intervistat drejtuar njerëzve të thjeshtë, nëpër rrugët e qyteteve, të lënë përshtypjen e një manifestimi bezdie. Nuk durojnë më praninë e të “huajit” klimë kontradikte, pavarësisht nga faktori që vetë populli italian ka emigruar me flukse të jashtëzakonshme në vitet e pas Luftës së Parë Botërore. Italia njeh mirë emigracionin nga afër, nëpërmjet eksperiencës së viteve të kaluara, sot është konfuze me mikun që ka në shtëpinë e sajë! Vota duhet të interpretohet si mishërim i fjalës dhe mendimit të lirë, mbi të gjitha, është respektim i dinjitetit human. Ti njeri, pa vënë në pah prejardhjen, se ajo nuk ka rëndësi nëse je pjesë e një shtrese operative dhe jetësore vendase, që jeton dhe punon me ndershmëri, ashtu si ke për detyrë të paguash detyrimet ndaj shtetit dhe vendit ku jeton, ke të drejtë të kuptosh dhe të vlerësosh me votën tënde administratorët e jetës urbane, të qytetit apo rrethit. Me një fjalë të votosh për administratorin e ritmit të së përditshmes tënde. Për të arritur në këtë përfundim, duhet një fillim i qartë idesh, një pasqyrë e qartë dhe pa tendencë politike e asaj që quhet jetë dhe prani reale. Si mund të pretendosh që një popull të pranojë votën e “të huajit”, se shikojmë vetëm shembuj negativë të paraqitura nga media?
Avokati shqiptar, Gentian Alimadhi, që është edhe president i shoqatës “Scanderbeg”, në Parma, në programin politik “Parma Europa”, iu përgjigj “kureshtjes” së drejtuesit të programit, thjeshtë, duke u mëshiruar dhe u rikthyer shpesh edhe në ato kujtime të largëta, por të paharruara të klandestinitetit të tij në vitet e para të qëndrimit në Itali.
Në vërtetësinë e fjalëve: “Unë, klandestini i dikurshëm, që punoja për të mbajtur veten dhe studimet në një restorant periferie të Parmës, më çudiste shumë fakti si njerëzit mund të pyesnin: “A ka lule në Shqipëri?” përgjigjja ime e natyrshme dhe qesharake “ka aq shumë sa i hanë edhe gomarët”. Sot, avokat i diplomuar në Fakultetin Juridik të Parmës, pas kaq vitesh, më çudit akoma fakti që njerëzit, kur i pyet nëpër rrugë nëse është dakord apo jo për të drejtë vote të huajve, thonë me frikë: ”Jo se ndodh pastaj që na komandojnë të huajt në shtëpinë tonë!!
Nuk mund të vazhdojë kjo komedi injorance, 20 vjet emigracion shqiptar, akoma na shikojnë si ekstraterrestë!
Parma Europa pati për qëllim të paralelizonte dy realitete, atë të klimës dhe tensioni që jeton Parma nga faktet konkrete të delinguencës së huaj, problemeve të bashkë jetesës së kulturave të ndryshme etnike besimtar dhe shembullit pozitiv nëpërmjet programit që ndjek shoqata “Scanderbeg”. Këtu është për t’u përmendur edhe dhurata e bukur që i bëri Komunës së Parmës imprenditori Sirian Radwan Khawatmi. Një të çmueshme kopje antike e Kuranit shumë e vlerësuar nga zv/sindaku i Parmës Buzzi aty i pranishëm. Por, le të kthehemi tek fjalët e z/Alimadhi. Është e natyrshme që kur flitet për probleme rendi dhe respektim rregullash, jemi ne të parët të dënojmë bashkatdhetarët tanë që i shkelin ato. Për këtë jemi munduar të krijojmë përreth komunitetit shqiptar, këtu në Parma, një pikë qëndrimi ku valorizojmë kulturën tonë jo vetëm nëpërmjet fjalës por edhe nëpërmjet veprës… aktiviteteve.
Po nuk na njohën, nuk kanë si të na vlerësojnë. Jo si slogan, por si parim. Dhe kështu renditja e aktiviteteve ishte e natyrshme, duke filluar nga Etno Gusti që reflekton mbi kuzhinën shqiptare, takim që bëhet ç’do gusht në bashkëpunim me shoqata të tjera të huaja këtu. Duke mos harruar spektaklet teatrale dhe shkollën e valleve popullore “Scanderbeg”, të drejtuar nga të talentuarit Lindita Bekja Sota dhe Albert Bekja. Skuadra e futbollit me ndeshjet e saj et etj. Por, mbi të gjitha, themelimin e shkollës shqipe. Fëmijët janë themeli i shoqërisë sonë. Si mund të tërheqim vëmendjen ndaj botës që na rrethon kur nuk jemi në gjendje t’i mësojmë dhe t’i bëjmë të njohur, kulturën e rrënjëve nga ku rrjedhim, fëmijëve tanë!? Për këtë, ideja e shkollës është thjesht përgjigje e bashkëkohore e një intergracioni të vërtetë ku popujt jetojnë bashkë, duke respektuar rregullat, duke mbajtur të pashuar origjinën dhe krenarinë e tokës, duke arritur në gëzimin e të drejtave ashtu si edhe në seriozitetin e detyrave. Duhet të shuhen tabutë i huaj baras rrezik apo klandestin baras rrezik përfundoi Alimadhi.
Nga Anila KADIJA – Zv/presidente e shoqatës “Scanderbeg” per gazeten REPUBLIKA


