- Jeni ndjerë gjithmonë një shougërl?
- Më kujtohet paraqitja ime e parë, në shoun e një kompanie balerinash pesëvjeçare. Ishim veshur me tutë të zezë dhe
fund me pika të verdha. Ndjehesha aq nervoze sa u bllokova në mes të shfaqjes. Nuk më kujtohet çfarë ndodhi më vonë, kujtoj vetëm që qëndroja aty në mes të të tjerëve që lëviznin përreth meje. A, më kujtohet edhe një moment tjetër, në një recital për piano. Prindërit e mi e adhurojnë tregimin e kësaj anekdode… Profesori im i pianos nuk ma sforconte asnjëherë dorën. Mësoja më shpesh me vesh dhe nuk doja asnjëherë të bëja konkurse; më pëlqenin vetëm shfaqjet dhe ekzekutimet muzikore. Megjithatë, isha e detyruar të merrja pjesë nëpër gara, te njëra prej të cilave fitova çmimin e dytë. Isha në kategorinë “nën tetë vjeç”. Mund ta imagjinosh sa e vogël isha?! Dora ime ishte si e një kukulle, arrija t’u bija vetëm notave më të larta apo më të ulëta të një tastiere. Ma kaloi vetëm një gjeni kinez, që, sipas mendimit tim, duhet të ishte ushtruar si i marrë, kurse unë ushtrohesha vetëm në leksionin e pianos. Me sa më kujtohet, u ngjita në skenë sikur nuk po ndodhte ndonjë gjë e jashtëzakonshme. U ula afër pianos dhe përpara se të filloja ekzekutimin, i hodha një vështrim komisionit, duke i dedikuar një buzëqeshije që i ngjante një gjysëm hëne të shkëlqyer. Edhe sot e kësaj dite, nuk di ta shpjegoj nëse ma dhanë atë çmim falë asaj buzëqeshjeje apo falë aftësisë time si pianiste!
- Si e kalonte kohën e vogla Kajli?
- Oh, kam patur shumë interesa, shumë dëshira. Në moshën katër vjeçare shkoja në “leksionet e ritmit”, me një grup qurravecësh që bënin një zhurmë të llahtarshme me shkopinj, zile dhe shufra hekuri. Kam ndjekur edhe leksione të baletit klasik, balet xhez, tip-tap… të gjitha këto pasione vetëm për një vit. E kam kultivuar pasionin tim për muzikën që në moshën e adoleshencës. Në atë moshë fillova t’i bija flautit. Zbulova kështu që isha e prirur në ushtrimin e çdo vegle muzikore, por i braktisja para se talenti të jepte frytet e para. Ruaj akoma diploma të shumë konkurseve për piano, në të cilat kam marrë pjesë.
- Si ka qenë adoleshenca për ty?
- Një periudhë me kujtime dhe vështirësi, në të cilën kam marrë leksionin më të vlefshëm për jetën. Në atë periudhë shkoja në treg sa herë që mundesha; më pëlqente shumë. Në sytë e mi si adoleshente, tregu shembëllente me një parking gjigand, ku njerëzit shitnin gjërat e veta personale, duke i transformuar makinat e tyre në dyqane shitjeje. Blija shpesh në ato “dyqane”. Në ato rrethana mora një leksion shumë të vlefshëm për jetën, kur edhe familja ime, e detyruar nga nevoja ekonomike, filloi të shiste gjëra që na përkisnin. Unë e kisha marrë aq seriozisht situatën sa vendosa të shkëputesha nga koleksioni im, të cilin e kisha ruajtur për shumë vjet, që në shkollën fillore. Isha shumë e lodhur, megjithatë pranova, sepse e shikoja që familja ime kishte nevojë. Arrita t’i shisja, por më vonë, duke bërë një xhiro në merkato, i pashë te një ambulant tjetër i cili po i shiste me një çmim më të lartë! U trondita shumë, ata ishin thesarët e mi! Eshtë e pabesueshme se si disa kujtime mbeten brenda teje të pashuara. Ai parking shitje-blerjeje më mësoi ç’do të thotë të mbijetosh. Edhe në momentet më të vështira, jetën duhet ta marrësh me autoironi, se jo çdo gjë të duket tragjike.
- Cila ishte ëndra juaj në rini e cila është ajo tani?
- Ëndërroj gjithmonë dashurinë, hapësirën e pakufishme, buzëqeshjen, miqësinë, frymëzimin, lidhjet dhe, ç’është më e rëndësishme, të vazhdoj të mësoj e të krijoj.
- Këto cilësi janë shumë australiane…
- Kur rritesh në përmasat e dritës së vendit tim, me një qiell të pafund blu, të qëndisur nga re të pambukta, ku filtron një ndriçim pothuajse ngjyrë karameleje… patjetër ndjehesh e frymëzuar dhe me shpirt të gëzueshëm.
- Nuk besoj ta keni patur të lehtë të largoheshit nga Australia…
- Eh! Herën e parë, në Londër, erdha për shumë pak kohë, as një javë. Kështu vazhdova për disa kohë, me shkëputje të shkurtra nga Australia për në Europë. Nuk nisesha asnjëherë me mendimin që do të transferohesha përgjithmonë sepse e doja jashtë mase tokën time. Më vonë e zgjata qëndrimin në Londër derisa u bëra e vetëdijshme që jetoja më shumë në Europë sesa në Australi. Duket qesharake, por ju siguroj që ishte e vetmja mënyrë për të mos ndjerë një shkëputje traumatike. Kështu, bleva apartamentin e parë në Londër ku u transferova përgjithmonë! Më është dashur shumë kohë për t’u ambientuar me këtë ndryshim në jetën time. Anglezët na kanë parë gjithmonë ne australianëve si të ishim irlandezët e Paqësorit. Për ta, ne ishim injorantë me probleme penale. Sot jemi krenarë per arritjet tona, për faqen penale të pastër dhe gjithë të tjerat!
- Çfarë mendon për metamorfozën e jashtëzakonshme të tokës australiane?
- Jam krenare! I njoh karakteristikat e popullit australian dhe jam krenare që ai çmohet nga pjesa tjetër e botës.
- Ndjeheni pjesëtare e atij brezi që i ka dhënë një profil nderi në botë popullit australian?
- Ndjehem një pjesë e asaj vale australiane që kanë sukses në botë… them se jam i atij brezi, pa u hequr asnjë meritë brezave të mëparshëm që kanë kontribuar në këtë aspekt, shpirtra të ndjeshëm si këngëtarja e operas lirike Dejm Neli Melba, bashkëshortët e jashtëzakonshëm Berri e Baz Hamphrejs, Naomi Uots, Kejt Blanshet, Hjuxh Xhekmen, Nikol Kidman… Jam e sigurtë se do të ketë edhe shumë të tjerë mbas nesh…
- Si e kaloni kohën kur jeni në turne?
- Me familjen time të madhe, Minog, që është gjithmonë e bashkuar. Nëna ima vjen gjithmonë në turne me mua, babai mban llogarinë, kurse motra ime, Deni më shoqëron shpesh në duete.
- Kajli ka personalitete të ndryshme apo është njësoj si në Paris, ashtu edhe në Londër apo në Australi?
- Jam e ndryshme, sidomos në drejtim të të veshurit! Në Australi shkoj kur është stina e verës, përdor sandale të thjeshta, pantallona të shkurtra, kapele e syze plazhi. Për shembull, në Kapri shallin e përdor për të mbuluar kostumin e banjos, kurse në Australi e përdor si velë për barkën. (Qesh) Ne “Aussie girl” jemi shumë origjinale e praktike. Në Paris është e nevojshme në mënyrë kategorike të vishesh shik. E adhuroj lukun e parisianeve, që duken sikur kanë lindur cool, nga vetë natyra e fizionomisë dhe kulturës së tyre të trashëguar. Qëndrimi në një vend aq marramendës nga pasuria e kulturës dhe e bukurisë, në modë është një burim i përhershëm për frymëzimin tim.
- Ndërsa Londra është vendi yt i dytë…
- Londra është e njohur për origjinalitetin e stilit, për dizenjuesit antikonformistë, të cilët, të karakterizuar nga një kurajo e jashtëzakonshme, nuk kanë frikë të krijojnë gjëra origjinale dhe të papara. Unë i adhuroj për këtë gjë!
- Me imazhin tuaj, keni qenë gjithmonë Dea frymëzuese për gratë në përgjithësi. Ju ka interesuar gjithmonë moda?
- Po, gjithmonë. Kam kaluar në stile të ndryshme me mënyrën time të të veshurit, gjë që ndodhte edhe më parë, kur nuk isha personazh i njohur. Tani e bëj për punë dhe është nganjëherë një ndjesi e bukur, të shtyn dhe të stimulon shumë… Them “nganjëherë” sepse në disa raste, moda është e fundit në mendjen time. Adhuroj zhdërvjelltësinë artistike, krijimtarinë dhe pasionin që stilistët e mëdhenj i kushtojnë modës. Mund të interpretohet si një ambient sipërfaqësor, pa realizëm, por në të vërtetë është një botë e jashtëzakonshme ku mund të projektosh nga ana e jashtme personalitetin tënd. Eshtë një botë e manovrueshme, kapriçoze, tradicionale, eksperimentale…
- Ke të drejtë… edhe kur jeta është e vështirë, një femër mund ta shkarkojë tensionin duke bërë shoping! Kushedi si vishet Kajli në jetën e saj private…
- Në momentet e dembelizmit adoptoj një lloj uniforme për të mos u preokupuar për atë që do të vesh. Megjithatë, shpesh ndodh të ndërroj shumë veshje para se të dal nga shtëpia.
- Si dhe ku e mendon të ardhmen?
- Shpesh më pyesin nëse do të kthehem ndonjëherë të jetoj në Australi. Mund të them vetëm që Australia më mungon jashtë mase dhe ndjehem shumë e lumtur kur arrij të shkoj atje. Në të ardhmen, kush e di… Me siguri do të rikthehem çdo herë që të kem mundësi. Jo pa lidhje, emri im Kajli, në gjuhën aborigena, do të thotë “Boomerang”, një rikthim.
Përgatiti: Anila KADIJA